Psalmet 21
Shqip Bibla e Shenjtë · 13 verses
- 1 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
- 2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
- 3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
- 4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
- 5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
- 6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
- 7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
- 8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
- 9 Ti do t'i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t'i hedhë në humnerë dhe zjarri do t'i përpijë.
- 10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
- 11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t'ia dalin.
- 12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
- 13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.