Psalmet 115
  • 1 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.
  • 2 Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".
  • 3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.
  • 4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
  • 5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
  • 6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,
  • 7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
  • 8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
  • 9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
  • 10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
  • 11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
  • 12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.
  • 13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.
  • 14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.
  • 15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
  • 16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.
  • 17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.
  • 18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.