Fjalët e Urta 1
  • 1 Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,
  • 2 për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;
  • 3 për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,
  • 4 për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.
  • 5 I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,
  • 6 për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.
  • 7 Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.
  • 8 Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,
  • 9 sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.
  • 10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,
  • 11 në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;
  • 12 le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;
  • 13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;
  • 14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";
  • 15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,
  • 16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.
  • 17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;
  • 18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.
  • 19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.
  • 20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;
  • 21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;
  • 22 "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?
  • 23 Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia.
  • 24 Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,
  • 25 përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,
  • 26 edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,
  • 27 kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.
  • 28 Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.
  • 29 Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,
  • 30 nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.
  • 31 Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.
  • 32 Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;
  • 33 por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".