Fjalët e Urta 23
  • 1 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
  • 2 dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
  • 3 Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
  • 4 Mos u lodh për t'u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
  • 5 A do t'i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
  • 6 Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
  • 7 sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
  • 8 Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
  • 9 Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
  • 10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
  • 11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
  • 12 Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
  • 13 Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
  • 14 do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
  • 15 Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;
  • 16 zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.
  • 17 Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;
  • 18 sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
  • 19 Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
  • 20 Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
  • 21 sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.
  • 22 Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.
  • 23 Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
  • 24 Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t'ia ndjejë gëzimin.
  • 25 Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.
  • 26 Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.
  • 27 Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.
  • 28 Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.
  • 29 Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
  • 30 Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.
  • 31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!
  • 32 Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.
  • 33 Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.
  • 34 Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.
  • 35 Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t'i kërkoj përsëri!".