Psalmet 103
  • 1 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
  • 2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
  • 3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
  • 4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
  • 5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
  • 6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
  • 7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
  • 8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
  • 9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
  • 10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
  • 11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
  • 12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
  • 13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
  • 14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
  • 15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
  • 16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
  • 17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
  • 18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t'i zbatuar në praktikë.
  • 19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
  • 20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
  • 21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
  • 22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!