Jobi 15
  • 1 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
  • 2 "Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?
  • 3 Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?
  • 4 Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.
  • 5 Sepse prapësia jote t'i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.
  • 6 Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.
  • 7 A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?
  • 8 A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?
  • 9 Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?
  • 10 Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.
  • 11 Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?
  • 12 Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,
  • 13 duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?".
  • 14 "Ç'është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?
  • 15 Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;
  • 16 aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!
  • 17 Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,
  • 18 atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,
  • 19 të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.
  • 20 I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.
  • 21 Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.
  • 22 Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.
  • 23 Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.
  • 24 Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,
  • 25 sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,
  • 26 duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.
  • 27 Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;
  • 28 ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.
  • 29 Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.
  • 30 Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.
  • 31 Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.
  • 32 Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.
  • 33 Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.
  • 34 Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.
  • 35 Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.