Jobi 11
  • 1 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
  • 2 "Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?
  • 3 Llafet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?
  • 4 Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".
  • 5 Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,
  • 6 për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.
  • 7 A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?
  • 8 Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?
  • 9 Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.
  • 10 Në rast se Perëndia kalon, burgos dhe nxjerr në gjyq, kush mund t'ia pengojë këtë veprim?
  • 11 Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr.
  • 12 Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri.
  • 13 Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,
  • 14 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,
  • 15 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,
  • 16 sepse do të harrosh hallet e tua, do t'i kujtosh si uji që ka rrjedhur;
  • 17 jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.
  • 18 Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.
  • 19 Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.
  • 20 Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t'u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".