Numrat 7
  • 1 Kur Moisiu mbaroi ndërtimin e tabernakullit, e vajosi dhe e shenjtëroi me gjithë pajisjet e tij, ai vajosi gjithashtu altarin dhe të gjitha orenditë e tij; kështu ai i vajosi dhe i shenjtëroi.
  • 2 Pastaj prijësit e Izraelit, të parët e shtëpive të etërve të tyre, që ishin prijësit e fiseve dhe ishin në krye të atyre që u regjistruan, paraqitën një ofertë
  • 3 dhe e çuan ofertën e tyre para Zotit: gjashtë qerre të mbuluara dhe dymbëdhjetë qe, një qerre për çdo dy prijës dhe një ka për secilin prej tyre; dhe i ofruan para tabernakullit.
  • 4 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
  • 5 "Prano këto gjëra prej tyre për t'i përdorur në shërbim të çadrës së mbledhjes, dhe do t'ua japësh Levitëve, secilit simbas shërbimit që ka".
  • 6 Moisiu mori, pra, qerret dhe qetë dhe ua dha Levitëve.
  • 7 Dy qerre dhe katër qe ua dha bijve të Gershonit simbas shërbimit të tyre;
  • 8 katër qerre dhe tetë qe ua dha bijve të Merarit simbas shërbimit të tyre, nën mbikqyrjen e Ithamarit, birit të priftit Aaron;
  • 9 por bijve të Kehathit nuk u dha asgjë, sepse ishin ngarkuar me shërbimin e objekteve të shenjta, që ata i mbanin mbi shpatulla.
  • 10 Prijësit e paraqitën ofertën e tyre për kushtimin e altarit, ditën kur u vajos; kështu prijësit paraqitën ofertën e tyre para altarit.
  • 11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Prijësit do ta paraqesin ofertën e tyre një në ditë për kushtimin e altarit".
  • 12 Ai që e paraqiti ofertën e tij ditën e parë ishte Nahshoni, bir i Aminadabit, nga fisi i Judës;
  • 13 ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,
  • 14 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 15 një dem të vogël, një dash, një qengj motak si olokaust,
  • 16 një dhi si flijim për mëkatin
  • 17 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Nahshonit, djalit të Aminadabit.
  • 18 Ditën e dytë erdhi oferta e Nethaneelit, birit të Tsuarit, princit të Isakarit.
  • 19 Ai paraqiti si ofertë të tij një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,
  • 20 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 21 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 22 një kec si flijim për mëkatin
  • 23 dhe, si flijim falënderimi dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. kjo ishte oferta e Nethaneelit, birit të Tsuarit.
  • 24 Ditën e tretë ishte radha e Eliabit, birit të Helonit, prijësit të bijve të Zabulonit.
  • 25 Oferta e tij qe një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen i vogël shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit;
  • 26 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 27 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 28 një kec si flijim për mëkatin
  • 29 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Eliabit, birit të Helonit.
  • 30 Ditën e katërt ishte radha e Elitsurit, birit të Rubenit.
  • 31 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 32 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,
  • 33 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 34 dhe një kec si flijim për mëkatin
  • 35 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e paraqitur nga Elitsuri, bir i Shedeurit.
  • 36 Ditën e pestë qe radha e Shelumielit, birit të Tsurishadait, prijësit të bijve të Simeonit.
  • 37 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,
  • 38 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,
  • 39 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 40 një kec si flijim për mëkatin
  • 41 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo ishte oferta e bërë nga Shelumieli, bir i Curishadait.
  • 42 Ditën e gjashtë ishte radha e Eliasafit, bir i Deuelit, prijësit të bijve të Gadit.
  • 43 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; si pjata ashtu dhe legeni ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 44 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 45 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 46 një kec si flijim për mëkatin
  • 47 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Eliasafi, bir i Deuelit.
  • 48 Ditën e shtatë qe radha e Elishamit, birit të Amihudit, prijësit të bijve të Efraimit.
  • 49 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 50 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 51 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 52 një kec si flijim për mëkatin,
  • 53 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Elishama, bir i Amihudit.
  • 54 Ditën e tetë ishte radha e Gamalielit, birit të Pedahtsurit, prijësit të bijve të Manasit.
  • 55 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 56 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 57 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 58 një kec si flijim për mëkatin
  • 59 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Gamalieli, bir i Pedahtsurit.
  • 60 Ditën e nëntë i erdhi radha Abidanit, birit të Gideonit, prijësit të Beniaminit.
  • 61 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklave të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 62 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,
  • 63 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 64 një kec si flijim për mëkatin
  • 65 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Abidanit, birit të Amishadait, prijësit të bijve të Danit.
  • 66 Ditën e dhjetë i erdhi radha Ahiezerit, birit të Amishadait, prijësit të bijve të Danit.
  • 67 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 68 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 69 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 70 një kec si flijim për mëkatin
  • 71 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Ahiezerit, birit të Amishadait.
  • 72 Ditën e njëmbëdhjetë i erdhi radha Pagielit, birit të Okranit, prijësit të bijve të Asherit.
  • 73 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 74 një kupë ari prej dhjetë siklash mbushur me temjan,
  • 75 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 76 një kec si flijim për mëkatin
  • 77 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Pagielit, birit të Okranit.
  • 78 Ditën e dymbëdhjetë i erdhi radha Ahirit, birit të Enanit, prijësit të bijve të Neftalit.
  • 79 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,
  • 80 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,
  • 81 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,
  • 82 një kec si flijim për mëkatin
  • 83 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Ahirit, birit të Enanit.
  • 84 Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit që u bënë nga prijësit e Izraelit kur altari u vajos: dymbëdhjetë pjata argjendi, dymbëdhjetë legena argjendi, dymbëdhjetë kupa ari;
  • 85 çdo pjatë argjendi peshonte njëqind e tridhjetë sikla dhe çdo legen argjendi shtatëdhjetë sikla; shuma e argjendit që përmbanin enët arrinte dy mijë e katërqind sikla, simbas siklit të shenjtërores;
  • 86 të dymbëdhjetë kupat prej ari të mbushura me parfum peshonin dhjetë sikla secila, simbas siklit të shenjtërores; gjithë ari i kupave peshonte njëqind e njëzet sikla.
  • 87 Shuma e kafshëve për olokaustin ishte dymbëdhjetë dema të vegjël, dymbëdhjetë desh, dymbëdhjetë qengja motakë bashkë me blatimet e ushqimit dhe dymbëdhjetë keca si flijim për mëkatin.
  • 88 Shuma e kafshëve si flijim falënderimi ishte njëzet e katër dema të vegjël, gjashtëdhjetë desh, gjashtëdhjetë cjep dhe gjashtëdhjetë qengja motakë. Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit pas vajosjes së tij.
  • 89 Dhe kur Moisiu hynte në çadrën e mbledhjes për të folur me Zotin, dëgjonte zërin e tij që i fliste nga pjesa e sipërme e pajtuesit që ndodhet mbi arkën e dëshmisë midis dy kerubinëve; kështu i fliste Zoti.