Numrat 10
  • 1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë
  • 2 "Bëj dy bori prej argjendi; do t'i bësh me argjend të rrahur; do t'i përdorësh për të thirrur asamblenë dhe për të lëvizur fushimet.
  • 3 Nën tingullin e të dyjave gjithë asambleja do të mblidhet pranë teje, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
  • 4 Nën tingullin e njerës bori, prijësit, krerët e divizioneve të Izraelit do të mblidhen pranë teje.
  • 5 Kur do t'i bini alarmit për herë të parë, ata që janë në lindje do të vihen në lëvizje.
  • 6 Kur do t'i bini alarmit për herë të dytë, ata që janë në jug do të vihen në lëvizje; duhet t'i bini alarmit që të vihen në lëvizje.
  • 7 Kur duhet të mblidhet asambleja do t'i bini borisë, pa i rënë alarmit.
  • 8 Do t'u bien borive bijtë e Aaronit, priftërinjtë; ky do të jetë një statut i përjetshëm për ju dhe për trashëgimtarët tuaj.
  • 9 Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t'i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj.
  • 10 Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t'u bini borive me rastin e olokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
  • 11 Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë.
  • 12 Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit.
  • 13 Kështu u nisën për rrugë herën e parë simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.
  • 14 I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit.
  • 15 Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit,
  • 16 ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit.
  • 17 Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin.
  • 18 Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit.
  • 19 Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit,
  • 20 ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit.
  • 21 Pastaj u vunë në lëvizje Kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre.
  • 22 Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit.
  • 23 Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit,
  • 24 ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit.
  • 25 Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë simbas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait.
  • 26 Pagieli, bir i Okranit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Asherit,
  • 27 ndërsa Ahira, bir i Enanit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Neftalit.
  • 28 Kjo ishte radha e marshimit të bijve të Izraelit, simbas divizioneve të tyre. Kështu u vunë në lëvizje.
  • 29 Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë "Unë do t'jua jap". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira,
  • 30 Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi".
  • 31 Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne.
  • 32 Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty".
  • 33 Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin.
  • 34 Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi.
  • 35 Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!".
  • 36 Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!".