Zanafilla 41
  • 1 Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi,
  • 2 dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe.
  • 3 Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit.
  • 4 Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua.
  • 5 Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm.
  • 6 Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre.
  • 7 Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr.
  • 8 Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t'ia interpretonte Faraonit.
  • 9 Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia.
  • 10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin.
  • 11 Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij.
  • 12 Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij.
  • 13 Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin".
  • 14 Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.
  • 15 Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".
  • 16 Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".
  • 17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit,
  • 18 kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe.
  • 19 Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit.
  • 20 Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme;
  • 21 por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova.
  • 22 Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur;
  • 23 dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve.
  • 24 Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim".
  • 25 Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë.
  • 26 Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr.
  • 27 Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke.
  • 28 Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë.
  • 29 Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;
  • 30 por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin.
  • 31 Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë.
  • 32 Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt.
  • 33 Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit.
  • 34 Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut.
  • 35 Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve.
  • 36 Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija".
  • 37 Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij.
  • 38 Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: "A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?".
  • 39 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Me qënë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti.
  • 40 Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t'u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti".
  • 41 Faraoni i tha Jozefit: "Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit".
  • 42 Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë.
  • 43 E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: "Në gjunjë!". Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit.
  • 44 Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: "Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit".
  • 45 Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit.
  • 46 Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit.
  • 47 Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë;
  • 48 dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth.
  • 49 Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.
  • 50 Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi.
  • 51 Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: "Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim".
  • 52 Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim".
  • 53 Shtatë vitet e bollëkut që qenë në shtetin e Egjiptit morën fund,
  • 54 dhe filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë.
  • 55 Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t'i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë Egjiptasve: "Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t'ju thotë ai".
  • 56 Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë Egjiptasve. Por zija u bë më e rëndë në vendin e Egjiptit.
  • 57 Kështu njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë, sepse zija qe shtuar mbi tërë tokën.