Filipianëve 3
  • 1 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.
  • 2 Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,
  • 3 megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:
  • 4 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,
  • 5 sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.
  • 6 Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.
  • 7 Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,
  • 8 dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,
  • 9 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,
  • 10 që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.
  • 11 Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.
  • 12 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,
  • 13 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
  • 14 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'jua zbulojë edhe këtë.
  • 15 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.
  • 16 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.
  • 17 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
  • 18 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
  • 19 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
  • 20 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.
  • 21 Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.