Marku 13
  • 1 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: ''Mësues, shih ç'gurë e ç'ndërtesa!''.
  • 2 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: ''A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.
  • 3 Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
  • 4 ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?''.
  • 5 Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: ''Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
  • 6 Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
  • 7 Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
  • 8 Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
  • 9 Kujdesuni për veten! Sepse do t'ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t'ju rrahin ndër sinagoga; do t'ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
  • 10 Por më parë duhet që t'u përhapet ungjilli gjithë popujve.
  • 11 Tani, kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
  • 12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i bëjnë të vdesin.
  • 13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet''.
  • 14 Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
  • 15 Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
  • 16 Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
  • 17 Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
  • 18 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
  • 19 Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
  • 20 Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.
  • 21 Atëherë, nëse dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose "Éshtë atje", mos e besoni.
  • 22 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
  • 23 Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë''.
  • 24 ''Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;
  • 25 yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.
  • 26 Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.
  • 27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t'i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.
  • 28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
  • 29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
  • 30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
  • 31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.
  • 32 ''Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
  • 33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
  • 34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
  • 35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
  • 36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
  • 37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!''.