Luka 23
  • 1 Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
  • 2 Dhe filluan ta paditin duke thënë: ''Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t'i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti''.
  • 3 Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Ti po thua''.
  • 4 Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ''Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri''.
  • 5 Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ''Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu''.
  • 6 Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.
  • 7 Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
  • 8 Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
  • 9 Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
  • 10 Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
  • 11 Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
  • 12 Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.
  • 13 Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,
  • 14 dhe u tha atyre: ''Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,
  • 15 dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s'ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.
  • 16 Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
  • 17 Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.
  • 18 Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: ''Vraje këtë dhe na liro Barabën''.
  • 19 Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.
  • 20 Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.
  • 21 Por ata bërtitnin duke thënë: ''Kryqëzoje!''.
  • 22 Për të tretën herë ai u tha atyre: ''Po ç'të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
  • 23 Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.
  • 24 Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.
  • 25 Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.
  • 26 Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
  • 27 Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
  • 28 Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
  • 29 Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".
  • 30 Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".
  • 31 Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?".
  • 32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë.
  • 33 Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
  • 34 Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
  • 35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''.
  • 36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
  • 37 dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten''.
  • 38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".
  • 39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''.
  • 40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
  • 41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''.
  • 42 Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''.
  • 43 Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.
  • 44 Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.
  • 45 Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.
  • 46 Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma.
  • 47 Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''.
  • 48 Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.
  • 49 Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.
  • 50 Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;
  • 51 ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.
  • 52 Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.
  • 53 Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.
  • 54 Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.
  • 55 Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;
  • 56 pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.