Osea 12
  • 1 Efraimi ngopet me erë dhe shkon pas erës së jugut; çdo ditë shumon gënjeshtrat dhe dhunën; bën aleancë me Asirinë dhe çon vaj në Egjipt.
  • 2 Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij.
  • 3 Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë.
  • 4 Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne,
  • 5 domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.
  • 6 Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt.
  • 7 Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë.
  • 8 Efraimi thotë: "Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat".
  • 9 "Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne.
  • 10 U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime".
  • 11 Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave.
  • 12 Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.
  • 13 Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet.
  • 14 Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.