Ligji i Përtërirë 18
  • 1 "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij.
  • 2 Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë.
  • 3 Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t'i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin.
  • 4 Do t'i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua;
  • 5 sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë
  • 6 Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti,
  • 7 atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit.
  • 8 Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre.
  • 9 Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.
  • 10 Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji,
  • 11 as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit,
  • 12 sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.
  • 13 Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd;
  • 14 sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu.
  • 15 Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar,
  • 16 në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes".
  • 17 Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë;
  • 18 unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj.
  • 19 Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t'i kërkoj llogari.
  • 20 Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".
  • 21 Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?".
  • 22 Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij".