Veprat e Apostujve 6
Shqip Bibla e Shenjtë · 15 verses
- 1 Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.
- 2 Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ''Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.
- 3 Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë.
- 4 Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës''.
- 5 Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.
- 6 I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.
- 7 Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.
- 8 Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.
- 9 Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;
- 10 por nuk mund t'i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.
- 11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: ''Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë''.
- 12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.
- 13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: ''Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.
- 14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu''.
- 15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.